Sylejman Neziri, pronar i një dyqani të produkteve ushqimore në Ferizaj, është shprehur i shqetësuar për ndalimin e importit të pijeve “Coca-Cola”, “Fanta” dhe “Sprite” për kompaninë private “Frutin Company”.
Gjykata e Apelit ka vërtetuar javën e kaluar vendimin e Gjykatës së Prishtinës sipas të cilit i ishte ndaluar kompanisë ‘Frutin Company’ të importonte pijet pa marrë autorizimin përkatës dhe deri në një vendimin përfundimtar.
Gjithashtu, në vendimin e Gjykatës së Apelit, që e mban datën 22 janar 2022, urdhërohet që Inspektorati për mbikëqyrjen e tregut të konfiskojë dhe të largojë nga tregu i Kosovës të gjitha produktet e ‘Coca-Cola Company’, të cilat janë importuar nga kompania ‘Frutin’.
Aktvendimi i gjykatave e ka shqetësuar shumë pronarin e marketit në Ferizaj, i cili bën tregti me prodhime vendore: nga Kosova dhe Shqipëria. Në një paraqitje para mediave të hënën, ai ka akuzuar gjykatësit kosovarë për bashkëpunim me shtetin serb.
“Gjykata e Kosovës ia ka dhënë të drejtën një kompanie shqiptare që të na imponojë neve që ta bijmë Coca Colan prej Serbisë, prej një armiku shekullor. Unë nuk e kam problem që Coca Cola ime rri dhjetë ditë këtu, edhe dy muaj le të rri, por kjo nuk është e drejtë. Unë iu bëj apel gjykatësve të Kosovës, ata të cilët e kanë marrë këtë vendim, nuk ma merr mendja që ata flasin shqip në shtëpinë e tyre. Po t’i kishte vetëm 2 gram gjak shqiptari, ai kurrë nuk do ta nxirrte këtë vendim”, ka thënë Neziri.
“O burrë mos më shti me folë shumë. Këtu nuk ka të bëjë kurrgjo! Për çka luftum ne, a me e hjek Serbinë prej këtu apo me e sjell prapë Serbinë. Qita janë shpiunat e Serbisë. Mushma mendjen mua që gjykata e Republikës së Kosovës nuk punon për Serbi?”, ka pyetur Neziri.






