Në tregun e Kosovës, ditëve të fundit, është ngritur tejmase çmimi i vajit, por edhe i produkteve tjera esenciale, shkruan Llapi.info.
Përderisa gjatë ditës së djeshme çmimi i një litër vaj ishte deri në 2,29 euro, sot ky çmim ka shkuar deri në 3,49 euro.
Ngritje të tilla të çmimeve ka pasur edhe në marketet e mëdha që operojnë në Podujevë. Për këtë, inspektorati komunal dhe ai i ministrisë kanë dalë në terren.
Kështu ka thënë për Llapi.info, zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, i cili ka treguar se kanë pranuar ankesa sa i përket luhatjes së çmimeve.
“Inspektori i tregut ka dalë në terren sot bashkë me inspektorët e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, i kanë inspektuar disa markete të mëdha dhe disa prej mullisëve në Komunën e Podujevës, për të parë se a është çdo gjë në rregull me furnizim dhe kanë kontrolluar marketet sa i përket çështjes së ngritjes së çmimeve të produkteve bazë”, ka thënë Zhitia.
Përkundër që kanë pranuar informacione për ngritjen enorme të çmimeve, Zhitia ka potencuar se nuk është gjobitur askush.
“Gjatë ditës së sotme nuk është shqiptuar ndonjë gjobë, por ne kemi pranuar tash disa informacioneve se disa prej markteve kanë ngritur çmimet jashtë normave të çmimit të tregut dhe së shpejti inspektori i tregut bashkë me inspektorët e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë do të jenë në terren për t’i evidentuar shkeljet eventuale dhe për t’i gjobitur ato”, është shprehur ai.
Rritjen e çmimit të vajit e ka cilësuar artificial dhe të paarsyeshëm edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka paralajmëruar masa.
“Kjo ka të bëjë me njerëzit që dëshirojnë të përfitojnë nga një krizë botërore dhe jo nga gjendja reale në vendin tonë”, tha ai, pas vizitës në fabrikën e përpunimit të vajit “Floil” në komunën e Gjilanit.
Kurti deklaroi se nuk ka nevojë për panik, pasi vaj ushqimor për qytetarët e Kosovës ka edhe për një muaj.
“Në stoqet e kësaj fabrike ka edhe rreth 300 mijë litra vaj të papërpunuar, pas përpunimit do të mjaftojnë për një muaj konsum në Kosovë”, tha Kurti.
Ai tha se Qeveria do të angazhohet për bashkëpunim me shtete partnere që të sjellin lëndën e parë për ripërpunim të vajit./Llapi.info






