Paniku i krijuar nga qytetarët, për mungesë të produkteve bazike ushqimore, ka shtyrë që të ndodhë një shtrenjtim i madh i tyre, raporton Llapi.info
Tashmë një litër vaj, në disa markete në vend, po kushton deri në 3 euro e 49 cent.
Kjo ka ngjallur reagime të mëdha të qytetarëve karshi disa bizneseve të mëdha në vend, që sjellin produkte nga jashtë për t’i shitur në Kosovë – duke i parë ata si fajtorë të kësaj gjendje të krijuar.
Lidhur me këtë ka pasur thirrje të vazhdueshme, si nga ana e qeverisë, po ashtu edhe nga institucionet përkatëse, të cilat kanë kërkuar nga qytetarët që mos të bëjnë panik, për të blerë ushqime më shumë se që janë të nevojshme, për shkak që shteti ynë vazhdon të ketë rezerva për edhe më së paku pesë muajt e ardhshëm.
Kryetari i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Bashkim Zejnullahu, ka thënë se nuk duhet të bëhet panik sepse Kosova ka rezerva të mjaftueshme të grurit e miellit.
Ai ka thënë se çmimi i grurit dhe miellit është dukshëm më i lirë se në vendet tjera të rajonit.
“Kemi sasi të mjaftueshme të miellit. Po flasim vetëm për atë që ndodhet nëpër mullinj sepse ne ende nuk e dimë saktë se sa grurë kanë fermerët në depot e tyre e që duhet të jetë sasi e madhe”, ka thënë Zejnullahu.
Kosova, gjatë vitit 2021, ka importuar 84 mijë tonë lloje të ndryshme të grurit dhe miellit nga Serbia – nga 115 mijë tonë sa ka importuar në total nga shtete të ndryshme, si: Kroacia, Austria, Maqedonia e Veriut, Hungaria.
Sa i përket situatës me grurë e miell, dje në një konferencë për media ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se nuk ka vend për panik pasi furnizimi me miell nuk është varur nga Rusia apo Ukraina.
Tutje, Kurti ka njoftuar se ka takuar përfaqësuesit e Shoqatës së Mullistëve dhe se ata e kanë garantuar se ka grurë edhe për disa muaj.
Madje kryeministri u ka bërë thirrje atyre që kanë blerë më shumë se që ju duhet miell, ta çojnë atë në furrë.
“Ka rezerva e rrjedhimisht nuk ka vend për panik. I ftoj qytetarët që të ndjehen të sigurt siç është edhe situata në vendin tonë. Unë i takova përfaqësuesit te Shoqatës së Mullistëve e më siguruan se në Kosovë edhe për dy muaj ka grurë që ende nuk është bluar e në muajin e kaluar kanë bluar grurë për tre muaj. Pra ka grurë 3 muaj plus dy muaj. Qytetarët që kanë blerë më shumë se që ju nevojitet ta çojnë miellin në furrë”, tha Kurti.
Për shkak të luftës në Ukrainë, përveç shtrenjtimit të karburanteve që vazhdon çdo ditë, janë shtrenjtuar edhe shumë produkte tjera bazike.






