Krerët e tri institucioneve më të rëndësishme të vendit, Presidencës, Parlamentit dhe Qeverisë, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz me rastin e 24-vjetorit të flijimit të familjes Jashari.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë homazheve ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë mbrojtëse dhe se e vërteta dhe drejtësia e Kosovës nuk mund të tjetërsohen nga deformimet që vijnë e as nga mohimet që bëhen.
Ai shtoi se gjenocidi i Serbisë në Kosovë i ka ende plagët e hapura dhe si krerë institucionalë jo vetëm se nuk e harrojnë këtë fakt, por edhe dinë se si të ecin përpara.
“Erdhëm sot këtu në 24-vjetorin e flijimit të tre brezave të familjes Jashari, të cilët u sakrifikuan për lirinë e Kosovës, e bashkuan popullin dhe i dhanë hovin vendimtar UÇK-së. Ky nuk ishte sulmi i parë ndaj Jasharajve, ata u patën sulmuar nga Serbia që udhëhiqej prej Millosheviqit edhe në dhjetor të vitit 1991, edhe në janar të vitit 1998 dhe që të gjitha këto sulme ndaj Jasharajve ishin ndërmarrje e përbashkët kriminale e Serbisë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë mbrojtëse dhe drejtësia e e vërteta jonë nuk mund të tjetërsohen as nga deformimet që vijnë e as nga mohimet që bëhen, gjenocidi i Serbisë në Kosovë i ka ende plagët e hapura dhe ne si krerë të institucioneve të Kosovës, si përfaqësues politikë, si qytetarë të Republikës jo vetëm që nuk e harrojmë nga vijnë, por edhe e dimë se si të ecim mirë, mbarë dhe drejtë përpara”, ka thënë Kurti.
Edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, gjatë homazheve ka folur për sakrificën e familjes Jashari, duke thënë se përveç thirrjes për drejtësi, trimëria dhe sakrifica e kësaj familje është udhërrëfyes i përhershëm i Kosovës.
“Sot jemi këtu për ta kujtuar sakrificën sublime të familjes Jashari në krye me komandantin legjendar Adem Jashari, të cilët treguan një trimëri të jashtëzakonshme në një situatë të jashtëzakonshme kur të gjithë ne si qytetarë të Kosovës ishim në rrethimin gjenocidal të Serbisë. Ata u sulmuan në shtëpinë e tyre ku shumica prej atyre ishin gra e fëmijë që u vranë. Kjo ishte një ndër masakrat më të tmerrshme të Serbisë për të cilën fatkeqësisht akoma nuk ka drejtësi. Përveç thirrjes sonë për drejtësi, ne gjithnjë do ta kemi udhërrëfyes tonë të përhershëm trimërinë dhe sakrificën e familjes Jashari”, ka thënë ajo.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca nga ana tjetër ka thënë se sakrifica e kësaj familje ka bërë që bota demokratike të reagojë dhe të aktivizohet faktori ndërkombëtar duke e besuar kauzën e drejtë të vendit.
“Së bashku me presidenten e vendit dhe kryeministrin po i nderojmë të rënët e familjes Jashari në krye me komandantin legjendar, Adem Jashari. Është moment ky kur sakrifica kthehet në epope edhe kur i gjithë kombi shqiptar mobilizohet dhe bëhet UÇK. Një moment i cili jo vetëm që ktheu të gjithë kombin në një ushtri e të gatshëm për ta dhënë jetën, por e cila sakrificë faktikisht e shkundi gjithë botën, e lëvizi botën demokratike dhe e aktivizoi faktorin ndërkombëtar që të besonte në kauzën tonë të drejtë. Sakrifica e Jasharajve është momenti më i rëndësishëm brenda përpjekjes çlirimtare të popullit të Kosovës për lirinë tonë”, Konjufca.






