Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur seancë solemne, për nder të shënimit të “Epopesë së UÇK-së”, në të cilën kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha familja Jashari është rasti më sublim, më unik për sakrificën dhe flijimin e tyre ku dëshmuan se liria është më e shtrenjtë se jeta, transmeton Llapi.info.
Me një mbledhje solemne Kuvendi i Komunës së Podujevës ka shënuar 24 vjetorin e rënies së familjes Jashari – “Epopenë e UÇK-së”, ku përveç këshilltarëve, kryetarit të Komunës, anëtarëve të ekzekutivit, ishin të pranishëm edhe përfaqësues të institucioneve lokale dhe të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së.
Në hapjen e kësaj mbledhje, kryesuesi i Kuvendit, Hilmi Hoxha “jemi këtu për të shënuar përvjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila pa asnjë ekzagjerim, është formacioni politik dhe ushtarak më i organizuar dhe i konsoliduar i shqiptareve të Kosovës, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit.
“Flijimi i familjes Jashari, përveç që ishte unik në historinë e kombit tonë dhe mobilizoi dhe rriti kohezionin e shqiptarëve gjithandej në botë, edhe sot dhe në ardhmen dhe përgjithmonë do të mbetet frymëzim, pikë referimi, inspirimi dhe me ndikim për brezat që do të vijnë. Nderimi dhe kujtimi për familjen do të jetë i përhershëm, për aq kohë sa në këtë botë të ketë shqiptarë”.
“Lavdi dhe përjetësi për Komandantin Adem Jashari dhe të gjithë dëshmorët e Kombit”, tha kryesuesi Hoxha.
Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, në fjalën e tij tha se “jemi mbledhur në këtë seancë solemne të Kuvendit Komunal për nder të shënimit të “Epopesë së UÇK-së”, e cila ka për qëllim kujtimin dhe promovimin e vlerave të luftës së UÇK-së dhe kontributin e familjeve të dëshmorëve për lirinë e Kosovës. Jemi sot këtu për të shprehur nderimin dhe mirënjohjen tonë të thellë për veprën dhe sakricën e jashtëzakonshme të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij, të gjithë dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës.
Liria që ne e gëzojmë sot, para së gjithash është produkt i heroizmit të dëshmorëve dhe martirëve të kombit. Faktor tepër i rëndësishëm ishte edhe internacionalizimi i çështjes së Kosovës, ndihma e vendeve mike dhe ndërhyrja e NATO-s kundër Serbisë, për të cilën si përfaqësues dhe si qytetarë të Republikës së Kosovës do t’u jemi mirënjohës gjithmonë që u gjinden pranë nesh në kohët më të vështira. I bekuar qoftë kujtimi për familjen Jashari dhe gjithë dëshmorëve, heronjve dhe martirëve të kombit! Lavdi e nderime përjetë”, përfundoi kryetari Bulliqi.
Kryetari i OVL të UÇK në Podujevë, Fahri Balaj tha se “historia e shqiptarëve është histori përpjekjesh për tu shliruar nga sundimi i huaj, e tillë është edhe ajo që kulmoi me Epopenë e UÇK-së, me luftën dhe sakrificën sublime të familjes Jashari, veçse kjo përpjekje si pak të tjera ja hapi sytë popullit dhe gjithë botës”.
Pas mbledhjes solemne, kryetari Bulliqi bashkë me kryesuesin e Kuvendit, anëtarë të ekzekutivit, asamblistë të kuvendit dhe përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, bën homazhe dhe vendosën kurora lulesh pranë shtatores së katër heronjve në bulevardin e qytetit./Llapi.info






