Komuna e Podujevës ka njoftuar se shkolla teknike në Podujevë do të pajiset me kabinete, pas dhurimit të donacionit nga ambasada e Japonisë në Kosovë, raporton Llapi.info.
Siç thuhet në kumtesën komunale, vlera totale e këtij donacioni është 38 mijë euro, ndërkohë që qëllimi i projektit është ngritja e cilësisë së punës praktike të shkollës përmes pajisjeve konkrete dhe mjeteve për lëndën e Energjisë dhe Instaluesit Elektrik, Automekanike dhe të Ngrohjes.
“Në kuadër të skemës së Granteve të Ndihmës Japoneze për Projektet e Sigurisë Bazike Njerëzore (GGP), Ambasada Japoneze në Kosovë ka dhuruar donacion për shkollën teknike në komunën e Podujevës. Drejtori i drejtorisë së Arsimit, Avni Fetahu bashkë me drejtorin e Shkollës së Mesme Teknike “Fan S. Noli”, Fatmir Emini sot kanë pranuar donacion nga Ambasada e Japonisë për sigurimin e pajisjeve dhe mjeteve për lëndën e Energjisë dhe Instaluesit Elektrik, Automekanike dhe të Ngrohjes dhe Aklimatizimit të shkollës teknike. Qëllimi i projektit është ngritja e cilësisë së punës praktike të shkollës përmes pajisjeve konkrete dhe mjeteve për lëndën e Energjisë dhe Instaluesit Elektrik, Automekanike dhe të Ngrohjes në mënyrë që të kontribuojnë në rritjen e mundësive të punësimit dhe shkallës së vazhdimit me arsimim të lartë, pas diplomimit. Përfaqësuesi i Japonisë në Kosovë, z.YAMANAKA theksoi se objektivi i projektit është i fokusuar në përmirësimin e cilësisë së Arsimit të cilat hyjnë në kategorinë e nevojave bazike të njeriut. Përfaqësuesi YAMANAKA u zotua që Ambasada Japoneze do të vazhdojë të mbështesë Kosovën për të përmirësuar jetën e çdo qytetari të saj. Vlera e donacionit është 38,000 euro”, thuhet në njoftim.
Me këtë rast, drejtori i Arsimit Avni Fetahu dhe drejtori i shkollës, Fatmir Emini kanë falënderuar përfaqësuesin japonez, derisa të njëjtit u dakorduan për bashkëpunim më të thellë në projektet e ardhshme./Llapi.info






