Lokale - eSIMy

Deri më tani, dy mërgimtarë nga Podujeva kanë dhuruar 20 mijë euro, nga 10 mijë secili, për mbështetje dhe forcim të Ushtrisë së Kosovës, shkruan Llapi.info.

Pas Nexhmi Zeqirit, edhe Faton Blakqori ka mbajtur premtimin e tij për t’i dhuruar 10 mijë euro për Fondin e Sigurisë.

Blakqori, i cili jeton dhe vepron në Berlin të Gjermanisë, ka zyrtarizuar 10 mijë euro në këtë fond, faturën e të cilit e ka  siguruar Llapi.info.

Duhet theksuar se Blakqori kishte bërë thirrjen i pari që të hapet një fond për të kontribuar për forcimin e ushtrisë së Kosovës, menjëherë pas situatës së krijuar në Ukrainë.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ky fond është themeluar bazuar në nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, “situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë”.

Paratë e mbledhura në këtë fond, sipas Qeverisë së Kosovës, do të shkojnë si buxhet shtesë për Ministrinë e Mbrojtjes./Llapi.info