Lokale - eSIMy

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby ka thënë se forcat ruse po tentojnë të lëvizin afër kryeqytetit të Ukrainës, Kievit, por ata janë ende larg qendrës së qytetit.

“Ne qartë po i shohim forcat ruse që po lëvizin ose po tentojnë të afrohen. Ne ende vlerësojmë se ata janë jashtë qendrës së qytetit, dhe ajo që dimë është se kanë qëllime mbi Kievin”, ka thënë ai. “Ukrainasit janë duke rezistuar në mënyrë efektive rreth Kievit. Ata e kanë bërë të vështirë për forcat ruse që të afrohen”, ka thënë ai.

Kirby ka thënë se rusët janë disa ditë prapa planit, dhe se kanë hasur në rezistencë më të madhe se që kanë menduar.

Ai ka përgëzuar ushtarët ukrainas për rezistencën që po e bëjnë.

“Është dita e pestë e luftimeve, e qartë se rusët nuk kanë bërë përparimin që donin. Nuk do të thotë se ata nuk do të adaptohen e tentojnë të kalojnë pengesat. E qartë se rusët kanë pasur sfidat e tyre me të cilat janë përballur dhe me rezistencë që nuk besojmë se e kanë pritur”, ka thënë Kirby.

Ai ka thënë se forcat aleate do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën me armë. Ndërsa për viktimat në Ukrainë, ai ka shtuar se gjaku është në duart e presidentit rus Vladimir Putin.

Kirby ka shtuar se mund të ketë një zgjidhje të kësaj çështje edhe nëpërmjet bisedimeve, porse shton se duket qartë se kjo nuk është rruga që Putin po e kërkon.