Oda e Avokatëve të Kosovës ka reaguar ndaj një postimi të bërë nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu më 26 shkurt.
Haxhiu kishte shkruar në Faceboiok se është i paprecedent injorimi i vendimeve të plotfuqishme të Gjykatës dhe vendimit të Qeverisë nga Oda e Avokatëve.
“I paprecedent injorimi i vendimeve të plotfuqishme të Gjykatës dhe vendimit të Qeverisë nga Oda e Avokatëve të Kosovës. Moszbatimi i vendimeve të plotëfuqishme është vepër penale prandaj meqë edhe përkundër vendimit të Gjykatës, vendimit të Qeverisë, Oda nuk lejon caktimin e avokatit sipas detyrës zyrtare në rastin e vrasjes së A.T, është koha të aktivizohet prokuroria dhe ta ndalë këtë paligjshmëri dhe dëm të shumëfishtë!” – shkroi Haxhiu.
Oda e Avokatëve ka shprehur indinjatën ndaj këtij postimi të Haxhiut. Ajo ka thënë se ministrja Haxhiu po tenton të ndërhyjë në sistemin e drejtësisë.
“ Oda e Avokatëve të Kosovës, shprehet e indinjuar dhe shumë e shqetësuar, se si Ministrja e Drejtësisë znj. Haxhiu, përmes këtij shkrimi shfaqë në mënyrë të hapur tendencën për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë, duke i bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit, se tani është koha të aktivizohet prokuroria, lidhur me rastin e përjashtimit të avokatit nga Gjykata Themelore në Pejë. Ne në vazhdimësi kemi deklaruar në konferenca për media apo edhe përmes shkresave me të gjitha institucionet relevante, se Oda e Avokatëve të Kosovës, nuk i ka ndaluar asnjë avokati (sipas autorizimit) që të mbroj të pandehurin Shaban Gogaj në rastin PKR.nr.43/2019. Oda e Avokatëve të Kosovës është organizatë profesionale e pavarur e avokatëve dhe me mision ndër të tjera mbrojtjen e anëtarëve të saj, që bënë mbikëqyrjen dhe funksionimin e avokatisë si kategori kushtetuese, në harmoni me të drejtën pozitive, ka vendosur që të mbroj anëtarët e saj, duke mos lejuar që të shkelet dhe nënçmohet dinjiteti i avokatëve karshi institucioneve tjera por edhe atyre të drejtësisë. Oda e Avokatëve të Kosovës, bazuar në Ligjin për Avokatinë, e kishte njoftuar Ministren e Drejtësisë, me rrjedhën e kësaj çështje në mënyrë të detajuar brenda afatit ligjor, derisa pa e pritur këtë informim nga Oda, Ministrja kishte dërguar në Qeveri propozimin për pezullimin e vendimit të Këshillit Drejtues të datës 12.07.2021 për t’u pezulluar dhe me këtë veprim ka rënë ndesh në kundërshtim të plotë me nenin 44 të Ligjit për Avokatinë, për çka ne konsiderojmë se paraqet tendencë për cenim i autonomisë së OAK-së. Nga Ministria e Drejtësisë është propozuar pezullimi i vendimit të datës 12.07.2021 e që ky vendim nuk ka qenë në fuqi nga data 09.09.2021”, thuhet nga Oda e Avokatëve.
Oda e Avokatëve të Kosovës ka thënë se pret nga Ministria e Drejtësisë që t’i ofrojë mbështetjen e duhur institucionale, që i ka munguar tash e sa kohë.
“Përkundër se Oda, në të gjitha komunikimet e saj i kishte bërë me dije Ministres së Drejtësisë, por edhe institucioneve tjera se vendimi i Këshillit Drejtues paraqet mbrojtje të dinjitetit të avokatëve dhe është në kuadër të misionit të saj ligjor, duke theksuar gjithmonë se derisa një avokat ka autorizim në atë lëndë, nuk mund të dërgohet avokat (sipas detyrës zyrtare) nga Oda, e ku do të paguhej me shpenzime publike. Oda e Avokatëve të Kosovës, ka njoftuar Kryeministrin dhe Ministren e Drejtësisë se vendimi i Qeverisë i datës 23.12.2021 për pezullimin e vendimit të Këshillit Drejtues të Odës, është në kundërshtim të plotë me nenin 44 të Ligjit për Avokatinë sepse Qeveria nuk mund të pezulloj aktet e veçanta por vetëm aktet e përgjithshme që paraprakisht kontestohen nga palët që kanë legjitimitet dhe ka procedurë të hapur gjyqësore dhe atë deri në vendosjen meritore nga Gjykata kompetente. Oda, nuk është palë në këtë procedurë gjyqësore dhe vendimet e Gjykatës Themelore në Pejë të cilave i’u referohet Ministrja janë procedurale, derisa vendimi i cili është i plotfuqishëm sa i përket gjobës nuk është kontestuar nga Këshilli Drejtues i OAK-së. Oda e Avokatëve të Kosovës, pret nga Ministrja e Drejtësisë që Odës së Avokatëve të Kosovës, t’ia ofroj mbështetjen e duhur institucionale, që i ka munguar tash e sa kohë, e që ka të bëjë me kërkesat e vazhdueshme dhe të paraqitura edhe me shkrim, lidhur me rritjen e tarifave për avokatët që angazhohen sipas detyrës zyrtare, ndryshimin e Ligjit për Avokatinë, me qëllim të ofrimit të shërbimeve juridike sa më profesionale dhe të ofroj përkrahje në lehtësimin e procedurave për kompensimin e avokatëve në këto çështje, konform autorizimeve të saja ligjore”, thuhet nga Oda e Avokatëve.






