Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se presioni mbi të është tejet i madh për t’i vënë sanksione Rusisë për shkak të sulmit mbi Ukrainën.
Serbia bashkë me Bjellorusinë, janë vendet e vetme në Evropë që kanë refuzuar t’i vëjnë sanksione Rusisë për agresionin mbu Ukrainën.
Pas kësaj, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Suedisë, Carl Bildt, tha se Serbia duhet të përshëndetet me Bashkimin Evropian.
“Me këtë qëndrim, Serbia ‘de facto’ u diskualifikua nga procesi i anëtarësimit në BE. Nuk duhet të ketë vend për anëtarë të rinj të BE-së që nuk ndajnë vlerat dhe interesat tona themelore”, ka shkruar Bild të dielën në Twitter.
Vuçiqit kjo nuk i ka pëlqyer.
“Nuk mbaj mend që të ketë pasur një situatë të tillë kaq të vështirë. Në 3 ditët e fundit jam plakur më shumë se në 10 vitet paraprake”, ka thënë Vuçiqi lidhur me presionin për t’i vënë sanksione Rusisë, raporton B92.
Bota perëndimore është bashkuar për të dënuar agresionin rus dhe për këtë i ka vënë një mori sanksionesh Rusisë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se kërkesa e Kosovës për anëtarësim në NATO, në fakt është e SHBA-së.
Ai në një adresim për mediat serbe të hënën, tha se me këtë SHBA-ja dëshiron t’u bëjë presion katër anëtarëve të NATO-s që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë këtë.
“Nuk është ide e re. Për herë të parë kam dëgjuar para disa muajve, kjo nuk është ide e shqiptarëve të Kosovës, kjo është ide e politikanëve të SHBA-së”, tha Vuçiq, përcjell “b92”. “Me këtë duan të shtyjnë katër anëtarë të BE-së që janë pjesë e NATOS-s të njohin pavarësinë e Kosovës”.
Vuçiqi tha se Serbia do të mbrojë “integritetin territorial” të saj, ku sipas Kushtetutës së këtij vendi bën pjesë edhe Kosova, por pa sqaruar si.
“Kjo është Serbia”, tha ai.






