Lokale - eSIMy

Podujeva po vazhdon të ballafaqohet me mungesë të stafit mjekësor nëpër Qendrat e Mjekësive Familjare, raporton Llapi.info.

Pa mjekë është edhe Qendra Kryesore në këtë Komunë. Si rezultat i kësaj mungese, shpeshherë pacientët janë ankuar për pritje të gjata për t’i marrë shërbimet mjekësore.

Se që ka mungesë të mantelbardhëve në QKMF e ka thënë edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, në një takim me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Në këtë takim, ku ishte prezent edhe drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, Bulliqi ka kërkuar eliminimin e pengesave për rekrutim dhe krijimin e mundësive për rritje të stafit shëndetësor.

“Me numrin aktual është e pamundur të ofrohen shërbime cilësore dhe sipas nevojave të qytetarëve llapjanë”, është shprehur ai.

Në anën tjetër, drejtori i QKMF-së në Podujevë, Ymer Llugaliu ditë më parë pati thënë se përveç mjekëve, kjo qendër është duke u përballur edhe me mungesë të infermierëve.

Sipas tij, e gjithë kjo situatë, siç ka thënë Llugaliu, vije si rezultat i largimit të personelit mjekësor jashtë vendit.

“Kemi mjekë, por për fat të keq na ikin çdo muaj nga katër-pesë mjekë në Gjermani dhe shtetet tjera të jashtme dhe i shkëpusin kontratat e punës. Edhe me staf të mesëm (infermierë) kemi mungesë. Po duhet me bë kombinime. Me i marrë mjekët që punojnë në terren me i pru në qendër pasi fluksi është më i madh. Ka nevojë për rreth 14-15 mjekë. Ne çdo muaj bëjmë kërkesa, por edhe pse hapet konkursi, i njëjti nuk përmbushet”, thotë Llugaliu.

Një konkurs i tillë për t’i plotësuar vendet e punës është hapur në muajin janar. Në konkurs janë kërkuar gjashtë mjekë përgjithshëm dhe katër infermierë./Llapi.info