Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës (MPB), Xhelal Sveçla, ka kërkuar që të vihen para drejtësisë, përgjegjësit e vrasjes së policit, të premten në mesnatë, në fshatin Zllatar të Prishtinës.
Sveçla u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimës derisa ka thënë se ka kërkuar angazhimin e Inspektoratit Policor për hetimin e plotë të ngjarjes.
“Në orët e hershme jam njoftuar për incidentin me të shtëna me armë zjarri në fshatin Zllatar nga i cili ka humbur jetën pjesëtari i Policisë së Kosovës, Lirim Haxholli. Shpreh ngushëllimet e mija familjes së të ndjerit për humbjen e familjarit të tyre. Me të marrë lajmin, kam kontaktuar Kryeshefin e IPK-së nga i cili kam kërkuar angazhimin maksimal të këtij institucioni në hetimin e plotë të kësaj ngjarje dhe rrethanave në të cilat ka ndodhur. Tashmë janë angazhuar të gjitha kapacitetet e nevojshme për të zbardhur rrethanat e ngjarjes si dhe përgjegjësit e kësaj tragjedie të vihen para përgjegjësisë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Gjashtë zyrtarë policorë janë arrestuar, njëri prej tyre si i dyshuar kryesor për vrasjen e policit mbrëmë në Zllatar.
Po ashtu është kërkuar edhe suspendimi i nëntë zyrtarëve të tjerë policorë, të cilët ishin po ashtu të pranishëm në vendngjarje në momentin e tragjedisë. Sipas Inspektoratit Policor, të gjithë policët ishin në një ndejë, duke qenë jashtë detyrës zyrtare.