Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, zhvilluan takim me Ministrin e Agrikulturës të Republikës Federale të Gjermanisë, Cem Özdemir.
Kurti ka shkruar në Twiitter se me Ozdemir ishin takuar në një simpozium në Greqi si opozitarë dhe pas katër vjetëve janë takuar sërish tani të dy në pushtet.
“Për herë të parë takova Cem Ozdemir në një simpozium në Greqi si dy deputetë opozitarë. Katër vjet më vonë të dy në pushtet, ne u takuam sërish dhe biseduam për agjendën tonë progresive. Diskutuam rëndësinë e bujqësisë në ekonominë tonë, ambientin dhe punësimin”, ka shkruar Kurti.
Sipas komunikatës qeveritare, në takim u vlerësua mbështetja e vazhdueshme nga Republika Federale e Gjermanisë për Republikën e Kosovës dhe marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve. U fol për agjendën progresive të të dy qeverive dhe mundësitë e reja të bashkëpunimit, në fushat dhe projektet në të cilat shteti gjerman mund të ofrojë përkrahje.
“U bisedua për rëndësinë e zhvillimit të sektorit të bujqësisë nëpërmjet transformimit të zonave rurale në vende tërheqëse për punë dhe jetesë, si dhe për ndërtimin e sistemeve ushqimore të qëndrueshme”, thuhet në komunikatë, transmeton Klankosova.tv.
Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e investimeve në sektorin e industrisë agroushqimore në Kosovë, si në aspektin e sigurisë ushqimore, punësimit dhe ruajtjes së shëndetit të konsumatorëve dhe mjedisit.