Lokale - eSIMy

Ish-deputeti Gani Geci ka kujtuar 16 shkurtin e vitit 2008 dhe emocionet që ka përjetuar kur vetëm një ditë më vonë u shpall Pavarësia e Kosovës.

Ai ka treguar se është mbajtur sekret se të nesërmen do të shpallej Kosova shtet i pavarur.

“Me datën 16, sikur sot 14 vjet më parë, ne kemi pasë mbledhje të grupit parlamentar dhe nënkryetar i Kuvendit të Kosovës ka qenë atëherë Nexhat Daci i cili na ka njoftuar se do të shpallet Pavarësia e Kosovës të nesërmen. Me datën 16 në mbrëmje në hollin e Kuvendit ka qenë një fotografi e presidentit Ibrahim Rugova dhe dikush e ka pasë heqë dhe është bërë një polemikë e madhe. Unë e kam pasë marrë një fotografi dhe pata thënë se nëse nuk kthehet fotografia e presidentit Ibrahim Rugova do ta vendos në foltore gjatë shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Është kthyer fotografia e presidentit Ibrahim Rugova. Lumturia ime ka qenë, është dhe do të mbetet nënshkrimi në Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”.

Geci, në “Info Magazine” të Klan Kosovës, tha se nuk ka pasë rëndësi nëse deklaratën që e shpall Kosovën shtet të pavarur dhe sovran do ta lexonte Hashim Thaçi, atëherë kryeministër, apo kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi.

“Sipas kornizës kushtetuese ka qenë e pritur që deklaratën ta lexojë kryetari i Kuvendit, sepse zakonisht kryeminsitri është ai që merret me ekzekutivin dhe jo me deklaratën. Mirëpo për të gjithë në Kuvendin e Kosovës ka qenë e parëndësishme se kush do ta lexojë dhe tani është e parëndësishme se kush e ka lexuar. Me rëndësi është që është bërë Deklarata e Pavarësisë së Kosovës dhe është lexuar nga kush është lexuar. Me rëndësi është që ne kemi qenë pjesëmarrës dhe e kemi nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë. Njerëzit kanë pritur që nuk do t’ia japë dorën Hashim Thaçit, por përkundër që kam qenë kundërshtar politik i PDK-së, dhe ende jam, në Pavarësinë e Kosovës kam qenë bashkë me ta ashtu si edhe në luftën kundër Serbisë”.