Lokale - eSIMy

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Podujevë po përballet me mungesë të mjekëve dhe infermierëve, shkruan Llapi.info.

Nga rreth 90 mijë banorë sa ka kjo Komunë, menaxhohen vetëm nga 35 mjekë familjarë. Përkundër që hapen konkurse të reja, aplikimet janë më të pakta se sa numri që kërkohet.

Drejtori i QKMF-së në Podujevë, Ymer Llugaliu e ka pranuar se në këtë qendër ka mungesë të personelit mjekësor, por që siç ka thënë ai, ia dalin disi.

“Kemi mjekë, por për fat të keq na ikin çdo muaj nga katër-pesë mjekë në Gjermani dhe shtetet tjera të jashtme dhe i shkëpusin kontratat e punës. Edhe me staf të mesëm (infermierë) kemi mungesë”, është shprehur ai për radio televizionin publik.

Brenda 24-orëve fluksi i pacientëve mbërrin deri në tre mijë. E vetmja zgjidhje mbetet lëvizja mjekëve nga qendra tjera dhe orari shtesë.

“Po duhet me bë kombinime. Me i marrë mjekët që punojnë në terren me i pru në qendër pasi fluksi është më i madh. Ka nevojë për rreth 14-15 mjekë. Ne çdo muaj bëjmë kërkesa, por edhe pse hapet konkursi, i njëjti nuk përmbushet”, thotë Llugaliu.

Isfref Plakolli është një nga doktorët më të vjetër në këtë qendër. Ai thotë se ikja e mjekëve të rinj jashtë vendit është në rritje e sipër. Sipas tij, institucionet përgjegjëse nuk po e marrin me prioritet mirëqenien e stafit mjekësor./Llapi.info