Të mërkurën, Gazeta Sinjali raportoi se ka ndodhur një përleshje në pikë të ditë në Prizren, ku u ekspozua edhe një armë. Kështu kishte thënë zëdhënësi i Policisë për Prizrenin, Vesel Gashi, i cila tha se është arrestuar një person.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë njoftuar se i arrestuari është Fadil Morina, ndaj të cilit Gjykata e Prizrenit sot i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Morina dyshohet se ka kryer veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve“, “Sulm” dhe “Kanosje“.
Por si ndodhi ngjarja?
“A e din se kush jam unë” dyshohet t’i ketë thënë Fadil Morina të mërkurën një personi tjetër derisa po hynte në parkingun nëntokësor të banesës. Mirëpo e gjithë kjo nuk përfundoi me kaq, pasi Morina e goditi me shuplakë dhe pastaj e ndjeku me veturë duke e kërcënuar me armë.
Në njoftimin e Gjykatës thuhet se derisa viktima ishte parkuar pranë hyrjes së parkingut, Morina i bie borisë së veturës dhe ai thotë “prit një minutë se nuk bëhet nami“. Kjo si duket e nervozon Morinën, pasi ai del nga vetura dhe i thotë viktimës “A e din kush jam unë” dhe e godet me shuplakë.
Mirëpo ‘drama’ nuk përfundon me kaq. Viktima hyn në veturë dhe niset në drejtim të fshatit Nashec, të cilin e ndjek Morina dhe pasi arrin afër tij e tejkalon dhe e ndal veturën.
Sipas Gjykatës, aty Morina e nxjerrë pistoletën me gaz dhe ia drejton viktimës duke e kërcënuar. Kjo sjellje e Morinës, viktimës i ka shkaktuar frikë, njofton Gjykata në Prizren.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.






