Lokale - eSIMy

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para fillimit të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ka folur për vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtimin e rrymës.

“Gjatë dimrit është dashtë të importojmë 40 për qind të energjisë.  Vetëm për një ditë kemi paguar 2.5 milionë euro për import të energjisë. Janari ishte muaji më kritik i vitit që përcillet me shpenzime të festave të fundvitit dhe konsum të energjisë. Jemi kujdes që mos të ketë asnjë barrë shtesë për qytetarët. Por forma e tillë e subvencionimit ishte e papërballueshme”, tha Kurti.

Kurti shtoi se këtë vit Kosova do të vazhdojë të importojë energji elektrike.

“ZRrE dje ka bërë publik vendimin lidhur me tarifat. Me këtë vendim ka ulur tarifat e propozuara. Përballë tarifave të reja të ZRrE-së kemi zotuar 100 milionë euro subvencionim për qytetarët. Kjo shumë e subvencionuar e ka ulur çmimin e tarifave. Për konsum deri 800 kilovatë nuk do të ketë rritje. 100 për qind e familjeve do të përfitojnë nga subvencionimi i 800 kilovatëve të parë”, tha Kurti më tej.

Kryeministri Kurti deklaroi se në krizë energjetike nuk ka zgjidhje ideale.

“Duhet të synohet një mënyrë për tejkalimin e krizës. Nga fillimi i krizës deri me tani kemi nda nga buxheti 120 milion euro. Zotimi ynë për subvencionim është thirrje ndaj qytetarëve për racionalizim të kursimit të energjisë. Energjia e kursyer është buxhet i kursyer i shtetit dhe xhep i kursyer i qytetarit.Së bashku e solidar do ta tejkalojmë këtë krizë”, shtoi ai më tej.