Me 74 vota pro dhe një abstenim, Ekrem Hyseni është zgjedhur sot kryetar i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Podujevë, raporton Llapi.info.
Zgjedhja e tij në krye të kësaj partie në Llap është bërë në një Kuvend të jashtëzakonshëm, i thirrur nga 59 delegatë të LDK-së në Llap.
Në një reagim në Facebook, tashmë i pari i LDK-së në Podujevë, Ekrem Hyseni ka thënë se zgjedhja e tij është bërë me një proces demokrat dhe të rregullt.
“Sot, delegatët e Kuvendit të Degës së LDK-së në Podujevë të mbledhur në një Kuvend të Jashtëzakonshëm, e të thirrur me iniciativën e 59 prej tyre më dhanë nderin më të madh të jetës time, duke më zgjedhur Kryetar të Degës së LDK-së në Podujevë në një proces të rregullt e demokratik. Në këtë ditë të shënuar për ne, shfrytëzoj rastin t’u falënderoj me përzemërsi të gjithë juve që po i qëndroni besnikë Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe së dyti që sot me këtë kuvend madhështor, bashkë po i japim dimension tjetër degës tonë”, ka shkruar Hyseni.
“E di shumë mirë situatën në të cilen ndodhemi, por kemi bindjen e plotë që në këtë rrugëtim të përbashkët, do të rezultojmë suksesshëm. Të dashur anëtarë dhe simpatizantë, Së shpejti do të mblidhemi prap, për ta prezantuar Platformën time me objektiva të qarta të cilat do ta funksionalizojnë degën në secilin segment të saj dhe do ta bëjnë të rëndësishëm, e pjesëmarrës secilin anëtarë të LDK-së”, thotë Hyseni në Facebook.
Kundër këtij Kuvendi është shprehur ish-kryetari i Podujevës, tani deputet i LDK-së, Agim Veliu, të cilin e ka quajtur të paligjshëm dhe kundër statutit./Llapi.info






