Lokale - eSIMy

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se në Podujevë janë regjistruar sot edhe 98 raste të reja me virusin korona, raporton Llapi.info.

Gjatë 24-orëve të fundit janë konfirmuar 8 pacientë të shëruar, derisa numri i rasteve aktive në Podujevë ka shkuar në 762. Njëherësh kjo është shifra më e lartë e rasteve aktive me virusin korona në këtë Komunë.

Që nga shpërthimi i pandemisë në Kosovë, deri më tani në Podujevë, mbi 8 mijë qytetarë llapjanë kanë rezultuar pozitivë për COVID-19. Prej tyre, 74 kanë humbur jetën, ndërkohë që mbi 80 mijë vaksina janë të administruara.

Në Kosovë sot janë regjistruar 3628 raste të reja me koronavirus sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë më 29 janar.

Rastet e reja dolën pas testimit të 14,479 mostrave. Nga kjo shifër i bie se rreth 25 për qind e të testuarve kanë rezultuar pozitivë për sëmundjen COVID-19.

Në njoftimin e MSH-së, që i referohet të dhënave të 24 orëve paraprake, bëhet e ditur se janë shëruar edhe 697 pacientë. Në Kosovë, aktualisht janë 33,592 raste aktive me koronavirus./Llapi.info