Lokale - eSIMy

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se në Podujevë janë regjistruar sot edhe 114 raste të reja me virusin korona, raporton Llapi.info.

Gjatë 24-orëve të fundit janë konfirmuar 17 pacientë të shëruar, derisa numri i rasteve aktive në Podujevë ka shkuar në 591. Të infektuarit janë të moshave të ndryshme, ndërkohë që numër i theksuar është i atyre të mitur.

Që nga shpërthimi i pandemisë në Kosovë, deri më tani në Podujevë, rreth 8 mijë qytetarë llapjanë kanë rezultuar pozitivë për COVID-19. Prej tyre, 74 kanë humbur jetën, ndërkohë që rreth 80 mijë vaksina janë administruara.

Si pasojë e COVID-19, 12 klasa të shkollave të ndryshme në këtë Komunë kanë kaluar në mësim online.

Në Kosovë sot janë regjistruar 3917 raste të reja me koronavirus sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë më 27 janar.

Rastet e reja dolën pas testimit të 16,307 mostrave. Nga kjo shifër i bie se rreth 26 për qind e të testuarve kanë rezultuar pozitivë për sëmundjen COVID-19.

Në njoftimin e MSH-së, që i referohet të dhënave të 24 orëve paraprake, bëhet e ditur se janë shëruar edhe 617 pacientë. Në Kosovë, aktualisht janë 28,751 raste aktive me koronavirus./Llapi.info