Lokale - eSIMy

Kryetari i Nismës Socialdemokrate në Podujevë, njëherësh edhe ish-kandidat për të parin e kësaj komune nga kjo parti, Xhemajl Hasani, ka reaguar pas marrëveshjes mes VV-së dhe PDK-së në Llap, raporton Llapi.info.

Në një postim në Facebook, Hasani ka kritikuar Partinë Demokratike të Kosovës për këtë marrëveshje, pasi që siç ka thënë ai, ka qenë kjo parti që gjatë fushatës ka thënë gjithçka ndaj kryetarit të Podujevës, Shpejtim Bulliqit.

“Nuk leshin të zeza pa i thënë Shpejtimit në fushatë, e tash bëhen bashkë! Ju merreni qysh të doni, ama unë këtë marrëveshje apo (mirëkuptim) e shih si fitore të dytë për Shpejtimin. Boll politikan është. Rahmeti ju këndoftë për së gjalli”, ka shkruar Hasani.

Për herë të paslufte, Partia Demokratike e Kosovës do të jetë në bashkëqeverisje në Komunën e Podujevës. Kësaj partie i është ndarë kryetari i Kuvendit Komunal, Drejtoria e Bujqësisë dhe Drejtoria e Administratës Publike.

Për këtë çështje, kritika në drejtim të pushtetit dhe Lëvizjes Vetëvendosje kanë hedhur edhe këshilltarë komunalë të partisë më të madhe në Kuvend, Lidhjes Demokratike të Kosovës./Llapi.info