Lokale - eSIMy

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se në Podujevë janë regjistruar edhe 141 raste të reja me virusin korona, raporton Llapi.info.

Gjatë 24-orëve të fundit nuk është konfirmuar asnjë pacient i shëruar, derisa numri i rasteve aktive në Podujevë ka shkuar në 493. Të infektuarit janë të moshave të ndryshme, ndërkohë që numër i theksuar është i atyre të mitur.

Që nga shpërthimi i pandemisë në Kosovë, deri më tani në Podujevë, rreth 8 mijë qytetarë llapjanë kanë rezultuar pozitivë për COVID-19. Prej tyre, 74 kanë humbur jetën, ndërkohë që rreth 80 mijë vaksina janë administruara.

Si pasojë e COVID-19, 12 klasa të shkollave të ndryshme në këtë Komunë kanë kaluar në mësim online.

Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, ka deklaruar për Llapi.info se 93 nxënës dhe 25 mësimdhënës janë infektuar me virusin korona.

Në Kosovë sot janë regjistruar 4397 raste të reja me koronavirus sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë më 26 janar, duke shënuar kështu rekord sa i përket numrit ditor të të infektuarve.

Rastet e reja dolën pas testimit të 16,307 mostrave. Nga kjo shifër i bie se rreth 27 për qind e të testuarve kanë rezultuar pozitivë për sëmundjen COVID-19.

Në njoftimin e MSH-së, që i referohet të dhënave të 24 orëve paraprake, bëhet e ditur se janë shëruar edhe 607 pacientë. Në Kosovë, aktualisht janë 25,458 raste aktive me koronavirus./Llapi.info