Numri i rasteve të reja me koronavirus nëpër institucionet arsimore në Komunën e Podujevës po vazhdon të rritet, shkruan Llapi.info.
Si pasojë e rritjes së rasteve me COVID-19, 12 klasë nëpër shkolla të ndryshme të kësaj komune kanë kaluar në mësim online, derisa nuk është mbyllur asnjë prej tyre.
Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, ka deklaruar se rreth 100 nxënës dhe 25 mësimdhënës janë infektuar me virusin korona.
“Ditëve të fundit ka shkuar duke u shtuar numri i të infektuarve me COVID-19 nëpër shkollat e Komunës së Podujevës. Tash i kemi 12 klasë në shkolla të ndryshme të Komunës së Podujevës të cilat kanë kaluar në mësim online, ndërsa janë infektuar 92 nxënës dhe 25 mësimdhënës me koronavirus”,është shprehur ai.
Që nga shpërthimi i pandemisë në Kosovë, deri më tani në Podujevë, rreth 8 mijë qyetetarë llapjanë kanë rezultuar pozitivë për COVID-19. Prej tyre, 74 kanë humbur jetën, ndërkohë që rreth 80 mijë vaksina janë administruara.
Në Kosovë janë regjistruar 4397 raste të reja me koronavirus sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë më 26 janar, duke shënuar kështu rekord sa i përket numrit ditor të të infektuarve.
Rastet e reja dolën pas testimit të 16,307 mostrave. Nga kjo shifër i bie se rreth 27 për qind e të testuarve kanë rezultuar pozitivë për sëmundjen COVID-19.
Në njoftimin e MSH-së, që i referohet të dhënave të 24 orëve paraprake, bëhet e ditur se janë shëruar edhe 607 pacientë. Në Kosovë, aktualisht janë 25,458 raste aktive me koronavirus./Llapi.info






