Lokale - eSIMy

Komuna e Podujevës ka planifikuar t’i ndajë 25 mijë euro për trajtimin e qenve endacakë, raporton Llapi.info.

Kështu thuhet në njoftimin për tender, i publikuar nga faqja e Komunës së Podujevës.

Ndryshe, qytetarët e Podujevës janë në hall me llavat e qenve endacakë që sillen vërdallë rrugëve të qytetit. Ata kanë ‘pushtuar’ secilën rrugë, institucione arsimore, shëndetësore e parqe të qytetit.

Në mungesë të strehimit, qentë bredhin rrugëve. E, tani kur edhe jemi në stinën e dimrit, qentë në shumicën e kohës gjenden pranë kontejnerëve apo afër hapësirave të ndërtesave banuese duke kërkuar ushqim e strehim. Në mungesë të ushqimit, shpeshherë ata dinë të bëhen edhe agresivë e që kjo gjë po paraqet në vazhdimësi problem për qytetarët llapjanë.

Nuk janë të pakta ankesat e qytetarëve drejtuar institucioneve për rrezikun që u shkaktohen nga këta qen, derisa edhe komuna tjera kanë planifikuar trajtimin e tyre.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme ka thënë se prania e qenve endacakë është kthyer në problem të sigurisë së qytetarëve.

Sipas tij, ky problem duhet të trajtohet nga rrënjët e tij, me qëllim të ofrimit të zgjidhjes së qëndrueshme dhe efektive.

“Besojmë që zanafilla e problemit është te mosmenaxhimi dhe kontrolli i qenve me pronarë, mbarështimi i pakontrolluar i tyre, si dhe shitja dhe importi nga vendet fqinje. Ministria për Administrimin e Pushtetit Lokal, pritet që të koordinojë dhe mbështesë nivelin lokal me ngritje të kapaciteteve për zbatimin e mirëfilltë të masave për menaxhimin e popullsisë së qenve me dhe pa pronar”, ka deklaruar ai në tryezën për diskutim të Strategjisë për trajtimin e qenve endacakë.

I pari i Qeverisë përmendi edhe Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe të Financave, Punës dhe Transfereve për të dhënë kontribut në menaxhimin e qenve pa pronarë./Llapi.info