Lokale - eSIMy

Katër asamblistë që kanë fituar votat për asamble komunale  në Podujevë, Avni Fetahu, Bahri Selimi, Vigan Salihu dhe Pajtim Balaj, janë emëruar sot drejtorë të Drejtorive në këtë Komunë, raporton Llapi.info.

Emërimi i tyre është bërë nga kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, derisa të njëjtit do t’i lirojnë pozitat e këshilltarëve komunalë të VV-së.

Ata do të zëvendësohen nga kandidatët tjerë nga ky subjekt politik. Sipas rezultateve të KQZ-së, Ragip Fetahu, Haki Rudari, Xhevdet Maloku dhe Bahri Blakçori pritet të jenë asamblistë.

Fetahu kishte mbledhur në zgjedhjet e tetorit 403 vota, Rudari 393, Maloku 377 dhe Blakçori 369 sosh. Ndërkaq, vend në asamble komunale do të ketë edhe Ardi Hasani, të cilit iu lirua pozita pas emërimit të Fatri Zhitisë si zëdhënës i Komunës.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka emëruar sot 10 drejtorë të Drejtorive në këtë komunë. Dy nga ta janë nga Partia Demokratike e Kosovës. Bulliqi ka thënë se zotimet që u kanë dhënë qytetarëve, siç ka thënë ai, do të jetë punë e përditshme e tyre.

“Sot kemi mbajtur takimin e parë të Bordit të Drejtorëve, në të cilin kemi folur për punët e mëdha, projektet dhe detyrat që i kemi para vetës. Zotimet që i kemi dhënë para qytetarëve, do të jenë edhe puna e përditshme e jona. Si qeverisje lokale do t’ju qëndrojmë pranë atyre që kanë më së shumti nevojë, do të jemi të hapur, bashkëpunues e transparent me qytetarët, shoqërinë civile e mediat”, ka shkruar ai./Llapi.info