Kryetari i Komunë së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka dalë me një sqarim pas publikimi të kabinetit qeverisës, ku me dy drejtori do të udhëheq PDK-ja, raporton Llapi.info.
Në një postim në Facebook, Bulliqi ka thënë se emërimi i tyre dhe zgjedhja e kryetarit të Kuvendit nga radhët e PDK-së, sipas tij, është bërë për shkak të mungesës së numrave në Kuvend.
“Me qëllim të funksionalizimit dhe konsolidimit të legjislativit dhe ekzekutivit të komunës, ne i kemi përfshirë dy drejtorë që vijnë nga radhët e PDK-së dhe e kemi votuar edhe kandidatin e tyre për kryesues kuvendi. Duke qenë të vetëdijshëm për mungesën e numrave në Kuvendin Komunal dhe përgjegjësisë që na obligon si parti fituese e zgjedhjeve dhe mirëkuptimit që kemi hasur te grupi i këshilltarëve të PDK-së, kemi bërë më të mirën e mundshme që të vazhdojmë qeverisjen e mirë në katër vitet e ardhshme”, ka shkruar Bulliqi.
PDK është pjesë e qeverisjes në Podujevë për herë të parë paslufte. Fatmir Rudari dhe Antoneta Ejupi janë emëruar drejtorë, kurse Hilmi Hoxha kryetar i Kuvendit Komunal./Llapi.info






