Në varrezat e fshatit Batllavë të Podujevës i është dhënë lamtumira e fundit ish-ushtarit të UÇK-së dhe nënoficerit të FSK-së, Besim Bajraktarit, njofton Llapi.info.
Në ceremoninë e varrimit morën pjesë familjarë, miq, bashkëluftëtarë, zyrtarë të FSK-së e zyrtarë komunalë.
Zëvendës Komandanti i FSK-së, Enver Cikaqi, tha se puna e tij do të jetojë gjatë dhe do të shërbejë si frymëzim për ta.
Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i shprehu ngushëllime familjes për vdekjen e nënoficerit, duke thënë se nga ai do të mbajnë mend kujtimet e mira, dhe se puna e tij është e madhe dhe e pashlyeshme.
Edhe kryetari i OVL-së në Podujevë, Fahri Balaj, shprehu ngushëllime familjarëve për vdekjen e Besim Bajraktarit.
Në ceremoninë e varrimit foli edhe vajza e të ndjerit, e cila tha se është e vështirë që të flas për humbjen e babait.
“Bab të humbëm pas një lufte të vështirë në një moshë të re ku ende si kishe arrit synimet e tua për vendin që e deshe”, u shpreh ajo./Llapi.info








