Javë më parë është konstituar Kuvendi i Komunës së Podujevës, me zgjedhjen e kryesuesit, shkruan Llapi.info.
Në krye të këtij institucioni është emëruar Hilmi Hoxha i PDK-së, me votat e partisë që udhëheq me Komunën, Lëvizjen Vetëvendosjen. Pro kanë votuar edhe Gazmend Islami i OBKD-së dhe Mrika Thaçi e AAK-së.
Kompletimi i kabinetit qeverisës pritet të bëhet shumë shpejtë me emërimin e drejtorëve. Kështu ka thënë për Llapi.info zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia.
“Gjatë kësaj jave do të mbahet seanca për votimin e buxhetit komunal për vitin 2022. Pasi të përfundojë kjo seancë, shpejt do të kompletohet edhe ekipa qeverisëse dhe pasi të vendosen ne menjëherë do t’i bëjmë publikë të gjithë emrat e kabinetit të kryetarit Bulliqi”, është shprehur Zhitia.
Se a do të kenë drejtori partitë opozitare në Podujevë, Llapi.info nuk ka pranuar ndonjë përgjigje konkrete nga zëdhënësi i Komunës së Podujevës.
Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, në ditën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Podujevës, pati thënë se nuk kanë koalicion me asnjë parti.
“Ne si Lëvizje Vetëvendoje edhe më herët e kemi pasur qëllim që në drejtori të kemi njerëz profesionistë. Edhe vitin e kaluar kemi pasur njerëz në drejtori që nuk janë në subjektin politik të VV-së. Prandaj, nuk është më rëndësi që të vinë ekspertë nga jashtë subjektit tonë. Nuk kemi koalicion me asnjë, përveç me qytetarët e Llapit”, ishte shprehur Bulliqi.
Por ndryshe po mendon partia që ka më së shumti këshilltarë komunalë në Podujevë, Lidhja Demokratike e Kosovës. Ish-kandidati i kësaj partie për kryetar të Podujevës, Ekrem Hyseni, ka thënë se marrëveshja parazgjedhore në heshtje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës në këtë komunë, sipas tij, filloi së zbatuari pas përfundimit të zgjedhjeve.
“Marrëveshja parazgjedhore filloi së zbatuari pas zgjedhjeve Qytetarët llapjanë nuk mund t’i mashtrosh. Mashtrimin nuk e meritojnë. Ajo që ekzistonte si marrëveshje në heshtje parazgjedhore, u bë marrëveshje në praktikë paszgjedhore. Kjo marrëveshje bashkëpunimi e bashkëqeverisje, me çdo kusht për të siguruar pushtet për veti, është në interes vetëm të atyre që janë në pushtet. Fatkeqësisht, më së keqi do ta pësojnë qytetarët e komunës sonë, ngase kjo do të jetë në dëm të tyre e në dobi të pushtetarëve. Pazaret për pushtet dolën në shesh. Tashmë edhe publikisht”, pati shkruar ai në Facebook./Llapi.info
Reagon Ekrem Hyseni i LDK-së: Pazaret për pushtet në Podujevë dolën në shesh






