Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, në një prononcim për gazetarë pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Podujevës, ka thënë se nuk kanë koalicion me asnjë parti, njofton Llapi.info.
Ai ka thënë se nuk i kanë pasur votat e mjaftueshme për të zgjedhur kandidaten Adelinë Stubulla për kryesuese të Kuvendit, për çka, siç ka thënë ai, kanë qenë të detyruar të tërhiqen për t’i evituar zgjedhjet.
“Nuk i kishim votat e mjaftueshme për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit dhe nuk kishim qëllim ta bllokonim konstituimin e asamblesë komunale dhe u detyruam të tërhiqem nga ky pozicion. Qytetarët na i kanë besuar 13 ulëse në asamble, ndërkohë që për të marrë vendime duhen 18 vota. Në mënyrë që të mos maltretohen qytetarët më tutje dhe asambleja të mos shkojë në zgjedhje, ne ishim të detyruar ta tërheqim kandidaten tonë dhe t’i lëshojmë frymë procesit. Nuk e kishim shumicën. Ne vazhdojmë punën për ngritjen e qeverisjes së plotë komunale. Ne si LVV edhe më herët e kemi pasur qëllim që në drejtori të kemi njerëz profesionistë. Edhe vitin e kaluar kemi pasur njerëz në drejtori që nuk janë në subjektin politk të VV-së. Prandaj, nuk është më rëndësi që të vinë ekspertë nga jashtë subjektit tonë. Nuk kemi koalicion me asnjë, përveç me qytetarët e Llapit”, është shprehur Bulliqi.
Në mbledhjen e sotme, Hilmi Hoxha i PDK-së është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Podujevës. Ai mori votat e mjaftueshme tek në raundin e tretë, gjithsej 19 vota. Për kanë votuar edhe Mrika Thaçi e AAK-së dhe Gazmend Islami i OBKD-së./Llapi.info






