Një aksident trafiku ka ndodhur sot në rrugën Prishtinë – Podujevë, përkatësisht në fshatin Vranidoll, raporton Llapi.info.
Në këtë aksident janë përfshirë tri vetura, njëra e KEDS-it, ku për pasojë kanë mbetur të lënduar tre persona. Lajmin për Llapi.info e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.
“Rreth orës 10:30, në rrugën Prishtinë-Podujevë, përkatësisht në fshatin Vranidoll, ka ndodhur një aksident i komunikacionit rrugor në mes të tri automjeteve në lëvizje. Si pasojë e aksidentit ndihmë mjekësore kanë kërkuar tre persona. Me rast po merret njësiti i trafikut”, ka thënë Ahmeti.
Sipas statistikave ditore të PK-së, vetëm dje në nivel vendi kanë ndodhur 75 aksidente, prej tyre, 27 kanë rezultuar me persona të lënduar.
Ditëve të fundit është rritur numri i aksidenteve në Kosovë, për çka Policia e Kosovës ka apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik për kujdes të shtuar./Llapi.info






