Lokale - eSIMy

Qytetarët e Komunës së Podujevës janë duke u përballur me mungesë të energjisë elektrike, shkruan Llapi.info.

Përkundër që KEDS-i kishte paralajmëruar që të njëjtat të zgjasin dy orë, reduktimet po vijojnë nga pesë deri në gjashtë orë.

Fatin e tillë e kanë pasur sot disa lagje të kësaj komune. Atyre u është ndalur rryma në ora 16:00, ndërkohë që rryma është lëshuar në ora 21:00.

Reduktimet e gjata të energjisë elektrike po sjellin mjaft telashe edhe bizneseve që shtrihen në këtë Komunë.

KEDS-i ka njoftuar se reduktimet e energjisë elektrike do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka thënë se një dukuri që po pengon kyçjen me kohë të grupeve të caktuara, është ngarkesa e madhe që po shfaqet në dalje gjatë këtij procesi, ndërsa u ka bërë thirrje konsumatorëve që janë pa energji elektrike të ç’kyqin pajisjet./Llapi.info