Halit Shaliani, ish-hetues në Policinë e Kosovës, njëherësh avokat, ka thënë se pas aksionit të zhvilluar sot nga njësitet policore në Prishtinë e Shtërpcë, çdo qytetar duhet të besojë se në Kosovë mund të zhvillohen hetime të suksesshme.

“Secili qytetar duhet të ketë besimin se në Kosovë mund të zhvillohet një hetim gjithëpërfshirës apo hetim që mund të ketë sukses në fund”, ka thënë Shaliani për Info Magazine.

Shaliani ka theksuar se për operacionin e zhvilluar sot nuk mund të flitet shumë, pasi ende nuk dihet për provat që janë siguruar nga prokuroria.

“Operacion për të cilin nuk mund të flasim njëherë, pasi nuk ka prova të prokurorisë”, ka shtuar ai.

Sipas Shalianit, nuk dihet me saktësi nëse ndërtimi i vilave është bërë në zonën e mbrojtur apo në zona të tjera përreth.

Ai tha se nëse del që e njëjta pasuri ka prejardhje nga vepra penale, atëherë e njëjta argumentohet me prova dhe mund edhe të konfiskohet nëse del që është mbi vepra penale.

“Meqenëse operacioni është zhvilluar tash dhe është ndërmarrë një operacion i gjerë me arrestimin e disa personave, atëherë është mundësia që të njëjtëve t’u lëshohen masa për ndalime policore prej 48 orësh e pastaj të dalin para gjykatës me kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit. Por nuk është njëjtë për gjitha rastet, pasi prokuroria mund ta analizojë nga gjetjet e siguruara se për kë të caktohet masa e ndalimit e më pas edhe ajo e paraburgimit”, ka vazhduar avokati.