Ka disa ditë që në Komunën e Podujevës nuk është regjistruar asnjë rast i ri me virusin korona, shkruan Llapi.info.
Si rezultat i kësaj, në këtë Komunë po vazhdojnë të jenë vetëm dy raste aktive. Kështu ka thënë për Llapi.info epidemiologia e QKMF-së në Podujevë, Bedrie Rama.
“Situata epidemiologjike sa i përket me COVID-19 është stabile. Në Podujevë tani për tani janë vetëm dy raste aktive”, është shprehur Rama.
Krahas kësaj situate, sipas Ramës, është duke vazhduar vaksinimi anti-covid në QKMF-në e kësaj komune.
“Është duke vazhduar procesi i vaksinimit. Ka interesim për vaksinim anti-covid, mirëpo një i qytetarëve janë të prekur me gripin sezonal. Gjithashtu edhe për dozën e tretë ka interesim. Deri sot janë administruar 76 mijë e 396 doza”, ka thënë Rama.
Që nga fillimi i pandemisë, mbi 7 mijë qytetarë llapjanë kanë qenë të infektuar me COVID-19. Prej tyre, 74 raste kanë përfunduar me fatalitet./Llapi.info






