Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar sot në shqyrtim të dytë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e vitit 2022, raporton Llapi.info.
Me 65 vota pro, asnjë kundër dhe një abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar buxhetin prej 2.7 miliardë eurosh.
Në kuadër të këtij buxheti janë futur edhe ndërtimi i disa rrugëve në Podujevë, siç janë: magjistralja Podujevë – Prishtinë, rregullimi i rrugës me zhavor Murgull-Bellosicë, asfaltimi i rrugës Kalaticë-Brainë-Bervenik dhe rregullimi i rrugës në fshatin Turuqicë.
Ndërkaq, me po këtë buxhet të Kosovës do të ndërtohet zona industriale, ndërtimi i stacionit të autobusëve, ndërtimi i Palestrës Sportive, ndërtimi i sistemit të Ujësjellësit në Orllan. Investime kapitale në Arsim në vlerë 100 mijë euro, ndërtimi i çerdhes në fshatin Batllavë, rregullimi i përroskave në fshatrat Tërrnavicë dhe Bellopojë, konservimi dhe rivitalizimi i xhamisë së djegur në fshatin Orllan,
Kurse, Spitali i Podujevës do të financohet përmes kredive të buta nga institucionet financiare ndërkombëtare.
Pas votimit të projektbuxhetit, janë mbyllur punimet e seancës së jashtëzakonshme./Llapi.info






