Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Podujevë, ka reaguar pas bojkotit të seancës së sotme të Kuvendit të Podujevës, raporton Llapi.info.
Në këtë seancë, ku ishte paraparë të zgjidhej kryesuesi i Kuvendit të Podujevës, ka dështuar në mungesë të kuorumit. Bashkë me LDK-në, seancën e kanë bojkotuar edhe PDK dhe AAK.
Në një reagim në Facebook, LDK ka kërkuar nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, t’i bëjnë zgjidhje konstituimit të Kuvendit.
“LDK nuk i’a bënë numrat një pushteti që po tenton t’i fsheh partnerët dhe hisedarët e vërtetë të fitores. Grupi i Këshilltarëve të LDK-së, në kuvendin e Komunës së Podujevës, sot ka lëshuar sallën e kuvendit, e cila ishte thirrur nga kryetari i komunës për të tentuar pastrimin e fitores të cilën e arriti përmes marrëveshjeve të fshehta. LDK fton partinë fituese që numrat në kuvend t’i bëj me partnerët dhe hisedarët e vërtetë të fitores së saj dhe t’i tejkalojnë ndasitë që kanë për ndarjen e pushtetit. LDK-Podujevë, gjithashtu i bënë thirrje kryetarit të komunës, që mos të thërret seanca dëgjimore, ku flet vetëm ai, e të cilat të vetmin qëllim e kanë tentimin për manipulim të opinionit publik. Qytetarët e Podujevës dhe më gjerë, i dinë shumë mirë pronarët e fitorës së tij, ndaj i kërkojmë që mos t’i fshehë marrëveshjet të cilat e mbajtën në pushtet. Dhe krejt në fund, barra për konstituimin e kuvendit bie mbi partinë fituese. LDK do të qëndrojë në opozitë dhe do të jetë e gatshme për të shtyjë përpara secilin projekt që është në të mirë të përgjithshme”, thuhet në reagim.
Partitë opozitare në Kuvendin e Podujevës, LDK, PDK dhe AAK, kanë bojkotuar seancën e jashtëzakonshme, duke bërë kështu që të dështojë zgjedhja e kryesuesit të këtij Kuvendi.
Pas bojkotimit të seancës, në një fjalim, i pari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka thënë se nuk do të ketë bashkëpunim me asnjë subjekt politik.
“Partia që ka marrë votën për të udhëhequr me Kuvendin e lëshon mbledhjen, e në një far forme pamundëson vazhdimin e punës së Kuvendit për arsyet që ata e dinë. Ne si VV, po shihet këtu nga prezenca jonë se nuk kemi marrëveshje me asnjë subjekt politik. Jemi subjekt që i kemi fituar zgjedhjet i vetëm dhe vazhdojmë ta kryejmë punën tonë, në mënyrë që të kontribuojmë në funksionalizimin e institucioneve të Kuvendit të Podujevës. Është për keqardhje që subjektet politike e lëshojnë sallën. Tash edhe opinioni e sheh se kush me kë është të koordinuar. Po shihet se ne si VV s’kemi bashkëpunim me askënd, përveç me qytetarin”, është shprehur Bulliqi./Llapi.info
Bulliqi pasi LDK, PDK dhe AAK bojkotuan sallën e Kuvendit: Do të bashkëpunojmë vetëm me qytetarin






