Partitë opozitare në Kuvendin e Podujvës, LDK, PDK dhe AAK, kanë bojkotuar seancën e jashtëzakonshme, duke bërë kështu që të dështojë zgjedhja e kryesuesit të këtij Kuvendi, raporton Llapi.info.
Partia më e madhe në Kuvend, LDK-ja nuk ka pritur as të bëhen propozimet për anëtarë të Komisionit që do të monitoronte votimin për kryesues.
“Vetëvendosje bashkë me PDK-në dhe AAK-në qysh i kanë fituar zgjedhjet i kanë edhe votat për kryesues. Ne si grup i Lidhjes Demokratike të Kosovës do ta bojkotojmë këtë votim për kryesuesin e Kuvendit”, është shprehur Valon Demolli i LDK-së.
Ndërkaq, këshilltari komunal i PDK-së, Bashkim Syla ka potencuar se nuk do të përkrahin zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit pa vendimin e të gjithë këshilltarëve komunalë. Të tria partitë opozitare bojkotuan mbledhjen e Kuvendit.

Pas bojkotimit të seancës, në një fjalim, i pari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka thënë se nuk do të ketë bashkëpunim me asnjë subjekt politik.
“Partia që ka marrë votën për të udhëhequr me Kuvendin e lëshon mbledhjen, e në një far forme pamundëson vazhdimin e punës së Kuvendit për arsyet që ata e dinë. Ne si VV, po shihet këtu nga prezenca jonë se nuk kemi marrëveshje me asnjë subjekt politik. Jemi subjekt që i kemi fituar zgjedhjet i vetëm dhe vazhdojmë ta kryejmë punën tonë, në mënyrë që të kontribuojmë në funksionalizimin e institucioneve të Kuvendit të Podujevës. Është për keqardhje që subjektet politike e lëshojnë sallën. Tash edhe opinioni e sheh se kush me kë është të koordinuar. Po shihet se ne si VV s’kemi bashkëpunim me askënd, përveç me qytetarin”, është shprehur Bulliqi.
Më pas kanë reaguar edhe këshilltarët komunalë nga partia e VV-së. Madje, këta të fundit s’i kanë përjashtuar edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvend.
“Partitë Opozitare po duan që ta dërgojnë Podujevën në zgjedhje për Kuvendin Komunal. Meqë Kryetari nuk shkon në zgjedhje, neve si Lëvizje na konvenon që të garojmë edhe njëherë për shumicën e Kuvendit. Por kjo do të ishte shumë e dëmshme për qytetarët dhe për buxhetin e shtetit. Deri më 3 janar keni kohë. Pastaj shumicën e bëjmë vet”, ka shkruar Pajtim Balaj i VV-së.
Në një postim tjetër, ku shihen të gjithë këshilltarët komunalë të VV-së, është thënë se koalicioni i vetëm do të jetë me qytetarët./Llapi.info






