Kuvendi i Podujevës ka dështuar të zgjedh kryesuesin në mbledhjen e sotme të jashtëzakonshme, pasi partitë opozitare LDK, PDK e AAK e kanë lëshuar seancën, raporton Llapi.info.
Pas këshilltarëve të LDK-së, kanë dalë edhe ata të PDK-së dhe AAK-së, duke bërë kështu që kjo seancë të përfundonte në mungesë të kuorumit.
Pas kësaj situate, në foltore ka dalë kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, duke shtuar se tash opinioni publik, sipas tij, e sheh se kush me kë ka marrëveshje.
“Partia që ka marrë votën për të udhëhequr me Kuvendin e lëshon mbledhjen, e në një far forme pamundëson vazhdimin e punës së Kuvendit për arsyet që ata e dinë. Ne si VV, po shihet këtu nga prezenca jonë se nuk kemi marrëveshje me asnjë subjekt politik. Jemi subjekt që i kemi fituar zgjedhjet i vetëm dhe vazhdojmë ta kryejmë punën tonë, në mënyrë që të kontribuojmë në funksionalizimin e institucioneve të Kuvendit të Podujevës. Është për keqardhje që subjektet politike e lëshojnë sallën. Tash edhe opinioni e sheh se kush me kë është të koordinuar. Po shihet se ne si VV s’kemi bashkëpunim me askënd, përveç me qytetarin”, është shprehur Bulliqi.
Më pas kanë reaguar edhe këshilltarët komunalë nga partia e VV-së. Madje, këta të fundit s’i kanë përjashtuar edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvend.
“Partitë Opozitare po duan që ta dërgojnë Podujevën në zgjedhje për Kuvendin Komunal. Meqë Kryetari nuk shkon në zgjedhje, neve si Lëvizje na konvenon që të garojmë edhe njëherë për shumicën e Kuvendit. Por kjo do të ishte shumë e dëmshme për qytetarët dhe për buxhetin e shtetit. Deri më 3 janar keni kohë. Pastaj shumicën e bëjmë vet”, ka shkruar Pajtim Balaj i VV-së.
Në një postim tjetër, ku shihen të gjithë këshilltarët komunalë të VV-së, është thënë se koalicioni i vetëm do të jetë me qytetarët./Llapi.info






