Ka dështuar zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit të Podujevës, në mbledhjen e sotme të jashtëzakonshme, raporton Llapi.info.
Kjo, pasi që partitë opozitare, LDK, PDK dhe AAK kanë lëshuar sallën e Kuvendit të Podujevës, duke ia pamundësuar partisë në pushtet të zgjedhë kryesuesin në mungesë të kuorumit. Po ashtu, pikë e rendit të ditës ka qenë edhe zgjedhja e anëtarëve të Komitetit për Politikë dhe Financa.
“Ne si grup i Lidhjes Demokratike të Kosovës do ta bojkotojmë këtë votim për kryesuesin e Kuvendit”, është shprehur Valon Demolli i LDK-së.
Ndërkaq, këshilltar komunal i PDK-së, Bashkim Syla ka potencuar se nuk do të përkrahin zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit pa vendimin e të gjithë këshilltarëve komunalë.
Pas bojkotimit të seancës, në një fjalim, i pari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka thënë se nuk do të ketë bashkëpunim me asnjë subjekt politik.
“Partia që ka marrë votën për të udhëhequr me Kuvendin e lëshon mbledhjen, e në një far forme pamundëson vazhdimin e punës së Kuvendit për arsyet që ata e dinë. Ne si VV, po shihet këtu nga prezenca jonë se nuk kemi marrëveshje me asnjë subjekt politik. Jemi subjekt që i kemi fituar zgjedhjet i vetëm dhe vazhdojmë ta kryejmë punën tonë, në mënyrë që të kontribuojmë në funksionalizimin e institucioneve të Kuvendit të Podujevës. Është për keqardhje që subjektet politike e lëshojnë sallën. Tash edhe opinioni e sheh se kush me kë është të koordinuar. Po shihet se ne si VV s’kemi bashkëpunim me askënd, përveç me qytetarin”, është shprehur Bulliqi.
Kryesuesi i Kuvendit, Hilmi Hoxha, i cili është edhe anëtari më i vjetër, ka mbyllur seancën e jashtëzakonshme në mungesë të kuorumit./Llapi.info






