Ka shënuar rënie numri i rasteve aktive me virusin korona në rajonin e Podujevës, raporton Llapi.info.
Për disa ditë nuk është regjistruar asnjë rast pozitiv, ndërkohë që në 24-orët e fundit nga po ky virus janë shëruar tre pacientë.
Sipas statistikave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, aktualisht në Podujevë janë gjashtë raste aktive.
Epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, Bedrie Rama, ka thënë ditë më parë për Llapi.info se krahas rasteve të reja, procesi i vaksinimit kundër virusit korona është duke u zhvilluar normalisht.
Rama, duke bërë thirrje tek qytetarët që të vaksinohen, ka deklaruar se deri më tani në këtë Komunë janë administruar mbi 75 mijë vaksina, duke bërë kështu që Podujeva të jetë ndër Komunat me më së shumti qytetarët të vaksinuar.
“Deri më tani në Podujevë janë administruar mbi 75 mijë vaksina anti-cocvid”, është shprehur epidemiologia e vetme në Podujevë, Bedrie Rama.
Që nga fillimi i pandemisë, mbi 7 mijë qytetarë llapjanë kanë qenë të infektuar me COVID-19. Prej tyre, 74 raste kanë përfunduar me fatalitet.
Krahas dozave të para, nesër pritet të nis edhe vaksinimi me dozën e tretë kundër virusit korona në Podujevë./Llapi.info






