Lokale - eSIMy

Disa banorë të fshatit Gllmanik kanë protestuar në lidhje me ndërtimin e rrethrrotullimit në rrugën Podujevë – Prishtinë, raporton Llapi.info.

Ata po kërkojnë që rrethrrotullimi të vendoset në qendrën kryesore të këtij fshati, ku edhe ndodhet kryqëzimi i disa rrugëve dhe jo aty ku edhe ka nisur. Të njëjtit sot i kanë shkuar në zyre edhe kryetarit të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqit.

Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia ka deklaruar për Llapi.info se Bulliqi ka takuar sot këta banorë, ndërkohë që në këtë takim është dakorduar që të zhvillohen takime me Ministrinë e Infrastrukturës dhe kompaninë kontraktuese.

“Pas protestës së mbajtur në fshatin Gllmanik, ku banorët e këtij fshati kanë shprehur pakënaqësitë e tyre në lidhje me ndërtimin e rrethrrotullimit në magjistralen Podujevë – Prishtinë, në fshatin Gllamnik. Pas kësaj proteste të mbajtur, ata kanë ardhur në zyrën e kryetarit duke qenë të vetëdijshëm se ky projekt i takon Ministrisë së Infrastrukturës, por kanë kërkuar ndihmën dhe mbështetjen e kryetarit në kërkesat e tyre. Kryetari ka zhvilluar takim me përfaqësuesit e secilës lagje dhe i ka dëgjuar kërkesat e tyre dhe ato kërkesa ne do t’i adresojmë si shqetësime të banorëve të fshatit Gllamnik. Gjithashtu gjatë takimit, kryetari u dakorduar që gjatë të hënës së javës së ardhshme të zhvillojë një takim me përfaqësues të MI-së, kompaninë kontraktuese dhe përfaqësuesit banorëve të fshatit Gllamnik”, është shprehur Zhitia.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i fshatit Gllmanik, Osman Bahtiri ka deklaruar se kërkesa e banorëve është që t’i ndërrohet lokacioni këtij rrethrrotullimi, apo që siç ka thënë ai, të vendoset edhe një rreth rotullim në pikën kyçe të fshatit Gllamnik, ku është paraparë me projekt.

“Këtu ka filluar ndërtimi i një rrethrrotullimi jemi duke u kundërshtuar, pasi rrethrrotullimi tjetër ku është paraparë projekti është qendra kryesore e fshatit, apo kryqëzimi kryesor i fshatit Gllamnik, i cili lidh një pjesë të madhe të Gllamnikut. Këtu ku është nisur është bërë për ndonjë qëllim të ndonjë biznesi. Këtu nuk ka kurrfarë kryqëzimi dhe nuk lidh asnjë shtëpi”, ka thënë Bahtiri.

Në rrugën Prishtinë-Podujevë, Ministria e Infrastrukturës ka vendosur t’i ndërtojë tri rrethrrotullime në vend të nënkalimeve, siç parashihej në planin fillestar për t’ua mundësuar banorëve përreth të kyçen në magjistrale.

Deri më tani, pas ndryshimit të projektit, janë në ndërtim dy të tilla, në Penuhë e Siboc, teksa pritet të ndërtohet edhe një rrethrrotullim tjetër./Llapi.info

No description available.

No description available.