Komuna e Podujevës ka bërë të ditur se i është shkëputur kontrata Operatorit Ekonomik “I&B Group dhe Shpk BRT”, për ndërtimin e urave në fshatin Gllamnik, Sfeçël dhe Bajçinë, raporton Llapi.info.
Sipas njoftimit të Komunës së Podujevës, ky operator ekonomik i ka neglizhuar punimet për ndërtimin e këtyre urave, përkundër që, siç thuhet në reagimin e Komunës, i janë dhënë paraprakisht vërejtje.
“Ju informojmë se kontrata e nënshkruar me datën 27.07.2021 për ndërtimin e urave në fshatrat Gllamnik, Sfeqël dhe Bajçinë, në mes të Komunës së Podujevës dhe Operatorit Ekonomik “I&B Group dhe Shpk BRT” është shkëputur kontrata. Arsyeja e shkëputjes së kësaj kontrate vjen si pasojë e mos realizimit të punimeve konform kushteve të kontratës. Përkundër vërejtjeve të shpeshta për neglizhencën e punimeve nga ana e menaxherit të kontratës për mos përmbushje të kontratës nga ana e operatorit ekonomik, ai nuk ka ndërmarrë masa për të vazhduar mëtutje në realizimin e punimeve dhe përmbushjen e kontratës. Andaj, Zyra e Prokurimit është obliguar që t’i shkëpusë kontratën”, thuhet në reagimin e Komunës.
Llapi.info ka raportuar ditë më parë për vërshimet që “pushtuan” fshatin Gllamnik, e që të cilat, sipas banorëve, erdhën si rezultat e urës së papërfunduar./Llapi.info
Ura e papërfunduar, vështirësi kalimi dhe vërshime në Gllamnik






