Komuna e Podujevës ka ftuar bizneset e gastronomisë që të aplikojnë për Festivalin Dimëror, i cili do të mbahet në Bulevardin e Dëshmorëve, njofton Llapi.info.
“Projekti ka synim që me rastin e festave të fundvitit; ngritjen e turizmit të brendshëm, pasurimin e jetës kulturore, mbështetjen e bizneseve përmes vendosjes së gjashtë shtëpizave”, thuhet në ftesën e Komunës.
Sipas kumtesës komunale, Festivali do të organizohet nga data 17.12.2021 deri më 17.02.2022 dhe mbahet në Bulevardin e Dëshmorëve në Podujevë.
“Afati për aplikim nga 08.12.2021 deri më 10.12.2021 prej orës 08:00 deri 16:00, Zyra pritëse, në Komunën e Podujevës”, thuhet tutje.
Gjashtë shtëpiza prej druri pritet të vendosen ka mesi i dhjetorit në sheshin e qytetit. Ky aktivitet do t’i ngjasojë atij “verë n’dimën”, i cili organizohet në Prishtinë dhe disa Komuna tjera.
Kështu ka thënë edhe drejtori për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik në Podujevë, Pajtim Balaj.
“Si fillim do të vendosen gjashtë shtëpiza druri, të cilat do të jenë të destinuara për bizneset e gastronomisë. Ky është një festival i dimrit, i cili është organizuar në Prishtinë dhe në komunat tjera. Besoj që të njëjtën do ta ketë edhe në Podujevë. Këto shtëpiza do të jenë të destinuara për shërbimet që ofrohen nga bizneset e gastronomisë”, ka thënë Balaj./Llapi.info






