Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Zejnullahu, për ndarjen nga jetë të Sabitit, babait të heroik Hakif Zejnullahu, shkruan Llapi.info.
“Jam thellësisht i pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të bacës Sabit, babait të heroit të kombit, Hakif Zejnullahu”, thuhet në fillim të telegramit të ngushëllimit.
Kryeministri Kurti e ka veçuar atdhedashurinë e Sabit Zejnullahut e cila e mishëruar në prindin kombëtar i dha Kosovës një hero të kombit.
“Jeta dhe trashëgimia e tij janë mësim për gjenerata të tëra që vijnë”, ka shkruar kryeministri Kurti në letrën e ngushëllimit, teksa ka thënë se do kujtojmë përherë kontributin e tij për vendin dhe kombin.
Sabit Zejnullahu ka ndërruar jetë mbrëmë në moshën 83-vjeçare. I ndjeri është varrosur sot në fshatin Lladoc, ndërkohë që për të nderuar veprën e tij, sot është mbajtur mbledhje komemorative./Llapi.info






