Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar vërshime në disa pjesë të Podujevës, raporton Llapi.info.
Si pasojë e këtyre të reshurave, situatë më e vështirë po paraqitet në fshatin Gllamnik të kësaj Komune. Vërshimet në këtë pjesë, sipas banorëve që kanë dërguar pamje në Llapi.info, janë shkaktuar edhe nga ura e papërfunduar.
Sipas tyre, në këtë urë kalimi është thuajse i pamundur, si për vetura, ashtu edhe për këmbësorë. Në bazë të pamjeve që ka siguruar Llapi.info, shihet se disa shtëpi të një lagjeje janë të përmbytura.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se nesër mbi vendin tonë parashihet të ketë reshje shiu që gjatë natës do të shndërrohen në reshje bore.
Edhe dita e martë parashihet me reshje kryesisht borë. Të mërkurën do të mbajë mot pak më stabil, por temperaturat do të bien dukshëm dhe do të ketë mundësi që në orët e para nëpër ultësira të krijohet mjegulla dhe ngricat. Nga dita e enjte vende-vende sërish priten reshje, por të intensitetit të dobët./Llapi.info








