Lokale - eSIMy

Shpejtim Bulliqi është betuar sot si kryetar i Komunës së Podujevës edhe për një mandat të plotë qeverisës, raporton Llapi.info.

“Betohem se do t’i kryej kompetencat me nder, ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin për të gjithë qytetarët”, ka thënë Bulliqi gjatë betimit të tij si kryetar i kësaj komune.

Pas dhënies së betimit, në një fjalim rasti, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka bërë thirrje tek të gjithë këshilltarë komunalë që të bashkohen në proceset që zhvillojnë Komunën.

“Besimin që e kemi marrë është nder dhe përgjegjësi e madhe për ne. Si kryetar i Komunës, unë ua shtrij dorën e bashkëpunimit të gjithë juve, pa dallim partie, që të punojmë bashkërisht dhe t’i shtyjmë përpara projektet që zhvillojnë Komunën. Jam i nderuar dhe po aq përgjegjës, që më bindje të lirë, qytetarët e Podujevës ma kanë deleguar detyrën e  drejtimit të ekzekutivit të Komunës sonë. Një komunë e trevë me një traditë dhe një identitet të fuqishëm kombëtar e kolektiv të dëshmuar në çdo rrethanë. E kam thënë dhe do ta them çdo herë në çfarëdo cilësie, se kur e ka dashur puna e sakrificës për lirinë, të drejtat dhe vetësinë e tij, Llapi i ka dhënë Kosovës emra si Adem Demaçi, Shaban Shala e të tjerë. Kur e ka dashur puna që aspiratat tona kombëtare, të merrnin formën e pa kompromis të rezistencës ndaj pushtimit, Llapi i ka dhënë Kosovës emra si; Zahir Pajaziti, Afrim Zhitia, Ali Ajeti e të tjerë. Kur e kërkon puna që aspiratat tona kombëtare dhe artikulimi i projektit politik për liri, pavarësi dhe vetëvendosje, të pikë-takoheshin me parime universale politike, filozofike dhe morale të botës së qytetëruar, Llapi i jep Kosovës emra si; Enver Maloku, Xhemajl Mustafa e të tjerë. Kur e njëjta ndihej në sportet kolektive, ne i kemi dhënë vendit sportistë si legjendat Fadil Vokrri e Fevzi Rama”, ka thënë Bulliqi.

“Zotohem para llapjanëve se zyra e kryetarit do të udhëhiqet nga parimi i gjithëpërfshirëses dhe trajtimit të barabartë sipas ligjit. Shërbimi ndaj qytetarëve do të jetë detyrë e jona e përditshme. Nga këtu u bëj thirrje qytetarëve, të rinjve dhe kuadrove të shumta që ka Llapi, të cilët kanë vullnetin për të kontribuuar me ide apo çfarëdo lloje ndihme për Komunën e tyre, të na bashkohen. Komuna e Podujevës do t’i mirëpres, dëgjoj e siguroj bashkëpunimin me të gjithë, pa asnjë dallim. Iu inkurajoj të gjithë që të bëhemi bashkë dhe ta zhvillojmë Komunën tonë”, ka thënë në një fjalim pas betimit, i pari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi./Llapi.info