Shpejtim Bulliqi është fitues i zgjedhjeve të balotazhit në Podujevë, duke triumfuar ndaj kandidatit të LDK-së, Ekrem Hyseni, raporton Llapi.info.
Para turmës së madhe të qytetarëve, Bulliqi ka thënë se puna në institucione do të nis qysh nesër, ndërkohë që ka falënderuar qytetarët, aktivistët dhe mërgimtarët.
“Fitorja e sontme është fitorja e juaj. Është fitorja e çdo aktivisti, të cilët nuk kanë lënë cep të Llapit pa shkelur. Fitorja është shumë mërgimtarëve. Kjo fitore në Llap ju tregoj të gjithë atyre që vullneti qytetarë është mbi të gjitha. Nuk ka para që blen vullnetin e qytetarëve. Kjo është një shembull i mirë, ku qytetarët kanë vlerësuar punën tonë. Kjo fitore u dedikohet motorit të Lëvizjes, aktivistëve, të cilët kanë punuar jashtëzakonisht shumë. Do të punojmë shumë. Llapi dhe Gollaku e ka kërkuar ndryshimin, e tashmë e kemi ndryshimin”, është shprehur ai.
Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosja ka fituar garën e balotazhit për kryetar të Podujevës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet preliminare ku tashmë janë numëruar 100 për qind të votave, sipas të cilave kryetari aktual ka fituar 51.84 për qind të votave, apo saktësisht 20 mijë e 282 vota.
Në anën tjetër, Ekrem Hyseni nga LDK-ja ka marrë 48.16 për qind ose 18.845 vota./Llapi.info






