Lokale - eSIMy

Numri dy i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka marrë pjesë sot në hapjen e fushatës zgjedhore në Podujevë, raporton Llapi.info.

Konjufca, para të pranishmeve ka thënë se ka qenë pikërisht Llapi që i ka paraprirë ndryshimit në Kosovë.

“Lëvizja Vetëvendosje është rritur dhe është forcuar bashkë me popullin. Falënderimi i parë dhe kryesor i takon qytetarë, i cili e bëri fitoren e madhe të 14 shkurtit, ku ndryshoi parlamentin, e ndryshoi presidencën dhe Qeverinë. Por, këto nuk do të kishin ardhur pa e ndryshuar Llapin në nëntor të vitit të kaluar me profesorin Shpejtim Bulliqi”, ka thënë Konjufca, duke bërë thirrje që të votohet Bulliqi.

Në hapje të fushatës ka marrë pjesë edhe ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Ndërkaq, kandidati i VV-së, Shpejtim Bulliqi ka prezantuar programin qeverisës. Bulliqi ka premtuar investime në arsim, shëndetësi, infrastrukturë e fusha të tjera.

“Gjithashtu para të pranishmëve prezantova disa prej projekteve të mëdha kapitale si përfundimi i magjistrales Podujevë- Prishtinë dhe ndërtimin e Spitalit të Përgjithshëm të Podujevës, që do t’i realizojmë bashkarisht me Qeverinë Kurti”, ka shkruar Bulliqi në Facebook./Llapi.info