Lokale - eSIMy

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka nderuar veprën e dëshmorëve, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, në 32-vjetorin e rënies, shkruan Llapi.info.

Bulliqi ka bërë homazhe së bashku me kryeministrin Albin Kurti kryeparlamentarin Konjufuca, ministra, deputetë, familjarë të heronjve dhe qytetarë.

“Në 32 vjetorin e rënies së dy heronjve të kombit, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, kemi vendosur kurora lulesh duke nderuar veprën dhe sakrificën për lirinë e atdheut. Afrimi dhe Fahriu ishin ndër organizatorët e parë që i paraprinë formimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot ata prehën në altarin e lirisë, kurse për neve mbetet obligim t’i jetësojmë idealet për të cilat ata ranë. Sot homazhe kemi bërë pranë varreve të tyre në Prishtinë me kryeministrin Kurti, kryeparlamentarin Konjufuca, ministra, deputetë, familjarë të heronjve dhe qytetarë. Gjithashtu me ekzekutivin e Komunës kemi bërë homazhe pranë Obiliskut në Lluga. Lavdi jetës dhe veprës së heronjve dhe dëshmorëve të kombit”, ka shkruar Bulliqi./Llapi.info