Lokale - eSIMy

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i shoqëruar nga drejtori i Arsimit, Avni Fetahu, dhe anëtarë të ekzekutivit morën pjesë në manifestimin e organizuar për nder të Ditës së Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Zahir Pajaziti” , në Orllan, njofton kumtesa, transmeton Llapi.info.

Në manifestimin e organizuar për shënimin e Ditës së Shkollës, SH.F.M.U “Zahir Pajaziti”, ku ishin të pranishëm familjarë të heroit, veteranë të dalë nga lufta, familje të dëshmorëve, nxënës, personel arsimor, Këshillimi i shkollës dhe prindër, kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi tha se ndjehet i nderuar që në këtë kremtë është në mesin e tyre.

“Kam nderin dhe kënaqësinë të jem sot bashkë me juve në kremtën tonë të përbashkët. Dita e shkollës suaj, nuk është vetëm festa e juaj, por është festa e të gjithë neve, e gjithë Llapit dhe Kosovës, sepse po kremtojmë ditëlindjen e Heroit tonë Kombatar “Zahir Pajazitit”, njërit nga komandantët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dikush do të thoshte, po të ishte gjallë Zahir Pajaziti, sot do të kremtonte ditëlindjen e 59-të bashkë me neve. Ai sot është me neve dhe ndër ne jo vetëm këtu, por kudo në Llap e në Kosovë, sepse ditëlindja që i dha përjetësi Zahirit, ishte ajo e 31 janarit 1997, kur ra për të mos vdekur kurrë”.

“Prandaj, vepra dhe rënia e komandantit tonë legjendar dhe të gjithë heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të rënë për liri, na obligojnë që të mësojmë dhe punojmë shumë për të ruajtur dhe ndërtuar një shtet për të cilin ata u flijuan. Emri i komandantit Zahir Pajaziti, të cilin e bartë shkolla juaj, e bën këtë vatër të diturisë më të veçantë dhe më të dashur. Por njëkohësisht edhe na obligon më shumë. Vetëm duke qenë nxënës të shkëlqyeshëm e mësimdhënës të përkushtuar në punë ju çdo ditë e nderoni veprën e komandantit tonë. Urime ditëlindjen Komandant Zahir Pajaziti! Urime Ditën e shkollës! ”, përfundoi kryetari Bulliqi.

Drejtori i shkollës përshendeti të pranishmit duke i falëndruar që sot janë bashkë në këtë ditë të rëndësishme dhe foli për jetën dhe veprën e kryekomandantit, Zahir Pajazitit.

Me këtë rast nxënësit e shkollës shfaqën një program artistik./Llapi.info