Lokale - eSIMy

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit Amerikan ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet t’i respektojnë zotimet e tyre për implementimin e marrëveshjeve paraprake, duke përfshirë këtu edhe Asociacionin e Komunave Serbe.

“Është thelbësore për Kosovën dhe Serbinë të respektojnë zotimet e tyre duke implementuar të gjitha marrëveshjet e mëparshme. Kjo përfshin edhe Asociacionin e Komunave Serbe”, ka thënë ky zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Gazetën Express.

Në përgjigje thuhet se ShBA-ja nuk ka ndonjë përshkrim për mënyrën se si duhet të zbatohet marrëveshja për Asociacionin apo ndonjë tjetër marrëveshje dhe se kjo çështje është subjekt i asaj se si palët janë marrë vesh mes vete.

“Ne nuk japim ndonjë përshkrim se si kjo marrëveshje, apo ndonjë tjetër, duhet të implementohet. Teknikalitetet e implementimit janë subjekt i marrëveshjes mes palëve”, ka thënë ky zëdhënës i DASH.

Edhe nga Bashkimi Evropian thonë se marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe duhet të implementohet.

Derisa ditë më parë në një intervistë zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi është shprehur me shumë siguri se një marrëveshje e tillë nuk do të implementohet teksa e ka komentuar “kërcënimin” e “Listës Serbe” se do t’i lëshojnë institucionet në rast se nuk implementohet Asociacioni.